Abdixhiku i përgjigjet kryeministrit Kurti: Ta bësh viktimën është e panevojshme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin rreth deklaratës se nuk ka pranuar dokumente nga qeveria paraprake në lidhje me dialogun me Serbinë.

Abdixhiku i ka thënë Kurtit se ta bëjë viktimën është e panevojshme, duke shtuar se Kurti më nuk është në opozitë dhe se duhet të sillet si kryeministër.

“Kryeministër, të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi. Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltër që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim. Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku është shprehur se Kurti ka mundur të kërkojë ndihmë edhe nga vetë ai nëse i janë dashur informata shtesë për këtë proces.

“Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë.

Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”, thuhet në publikimin e tij.

Edhe sh- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti se “nuk ka marrë asnjë raport rreth dialogut me Serbinë nga qeveria e mëparshme.

Hoti përmes një postimi ka thënë se një sërë dokumentesh i janë dorëzuar Kutit në rastin e pranim-detyrës duke shtuar se në ato dokumente bën pjesë një raport 29 faqesh i detajuar mbi kronologjinë e zhvillimeve të dialogut, dokumentet e dakorduara në Bruksel dhe disa të tjera.