Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku i kërkon Kurtit ta kthejë Diplomën në Universitet

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur një seancë të jashtëzakonshme lidhur me krizën energjetike në Kosovë.

Deputeti i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njëherit kryetar i LDK-së, tha se Kosova është bërë lajm ndërkombëtar për krizën energjetike.

“Kosova është në krizë energjetike, në tërë, Kosova është në krizë sa që bëri lajm në mediat ndërkombëtare për të keq kur bëhesh lajm për të keq në mediat ndërkombëtare, do të thotë që kriza është më e dalluar”, ka thënë Abdixhiku.

Po ashtu Abdixhiku ka thënë se Kosova s’mundet të jap furnizim bazik prandaj është bërë lajm ndërkombëtar.

“Nuk bëhet lajm ndërkombëtar Shqipëria dhe Maqedonia, dy shtetet fqinjë por Kosova sepse si e para ashtu edhe e dyta gjendjen e emergjencës e kanë shpallur në tetor. Këto dy shtete janë marrë në detaje me krizë aq sa njëra prej tyre ka blerë thëngjill prej Kosovës”, ka thënë më tutje Abdixhiku.

Ai ka pasur edhe disa fjalë për kryeministrin Kurti.

“Një kryeministër edhe pse me profesion inxhinier, ka zgjedhur popullzimin, po u flet masave militante të tij, kjo është pa dituri, është krizë” ka thënë deputeti Abdixhiku.

Ai i ka kërkuar Kurtit ta rikthejë Diplomën në Universitet.

”Jam i bindur se ai duhet ta dijë e nëse nuk e din si inxhiner ta kthejë diplomën menjëherë në universitet sepse çmimi i rrymës kontraktohet rezervohet. Çmimet fiksohen se sikurse grurin, naftën e çdo mall tjetër në treg mund të blesh energji elektrike me çmimet që nuk ndryshojnë por për të bërë një gjë të tillë duhet të veprosh në kohë jo i fundit në Evropë”, tha Abdixhiku.