Abdixhiku fajëson Qeverinë për krizën energjetike, e quan të paaftë, tallëse e të vonuar

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar për krizën energjetike në Kosovë, duke vlerësuar qeverinë Kurti si të paaftë, tallëse e të vonuar.

Sipas Abdixhikut kriza e sotme energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj.

“Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot. Në atë kohë rekomandoheshin dhe revitalizimet e blloqeve, subvencionimet e operatorëve, organizmi i prodhimit e planet kursyese si parapërgatitje për dimrin e ftohtë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka thënë se Kurti, i cili ka premtuar zhvillim ekonomik, sot nuk ka as rrymë.

“Në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekonomik që Kosova me të po e përjetonte. Sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë”, ka shkruar ai.

“Tani kë do të fajësojnë për këtë krizë? Një Qeveri që i ka krejt; i ka dhe njerëzit e vet të vendosur së fundmi në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik, nuk arrin të sigurojë as një produkt bazik në këtë zhvillim të pashembullt ekonomik”, ka shtuar ai.

Sipas Abdixhikut, Qeveria nuk duhet t’i fajësoj qytetarët e t’u jap, siç ka thënë ai, ‘paaftësinë e tyre’.

“Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë. Por as shtrenjtimi i rrymës e as rekomandimet tallëse për kursim nuk do ta kapërcejnë ketë krizë që sapo ka nisë”, ka thënë ai.

Kreu i LDK-së ka thënë që Qeveria Kurti është e padijshme andaj edhe reagimi i saj për këtë çështje është i vonë.

“Kosova po futet në një dimër të reduktimeve, mungesës së ngrohjes, uljes së prodhimit të bizneseve e pa aftësisë qeverisëse për t’i prirë problemeve me kohë; një praktikë tanimë e zakonshme për ta. Sot intervenimet e Qeverisë janë të vonshme; sepse janë të vonshme janë dhe të shtrenjta; e sepse janë të shtrenjta janë dhe pa zgjidhje”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, ‘kjo Qeveri, e aftë për të krijuar konflikte, është e paaftë për të krijuar zgjidhje. Qeverisja para së gjithash është menaxhim dhe përgjegjësi. Gjuetia e fajësimit ndaj të shkuarës as nuk i mbanë dritat e ndezura as shtëpitë familjare të ngrohura’.

Dje, në komisionin parlamentar për ekonomi, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka njoftuar se një bllok i termocentralit “Kosova B’ është nxjerrë nga prodhimi dhe për tri ditë ai do të jetë jashtë funksionit, duke paralajmëruar rëndim të situatës me furnizim me energji elektrike në vend.

Sot, ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë ka njoftuar se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u kanë ndërprerë furnizimin me ngrohje për konsumatorët.