
Abdixhiku e vazhdon fushatën në Kaçanik e Han të Elezit, premton mirëqenie për qytetarët
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku më 12.01.2025 e ka vazhduar fushatën për Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kaçanik dhe Han i Elezit.
LDK-ja ka organizuar tubime elektorale me qytetarët e këtyre dy qyteteve.
Abdixhiku ka falënderuar qytetarët e Kaçanikut, duke thënë se LDK dhe populli janë bërë një.
“Ringritja ndodhi dhe këtu. Pas një kohe të gjatë, mblidhemi kaq shumë. E paparë! LDK dhe populli janë bërë tashmë një! Në këtë qytet fisnik, me familje punëtore e qytetarë plot vullnet, gjetëm shpresën për Republikën, siç e kishim projektuar me ta gjithherë.” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ndërsa, ka thënë plot ngrohtësi u priten edhe në qytetin e vogël të Hanit të Elezit.
“Sërish, pas një kohe të gjatë, u pritëm me plot shpresë e vullnet. Hani i Elezit do të përfitojë nga gazifikimi i Kosovës – një projekt kyç ky i ‘Rrugës së Re’. Ky investim, i sjell banorëve të kësaj Komune punë, mirëqenie e plot mundësi. LDK ka rigjetur bazën e vet në këtë qytet të vogël jugor. Dhe them sot me bindje të plotë, se ndryshimi i madh po vjen tashmë.” – ka thënë ai.
Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht sot, mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.