Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku e quan Qeverinë Kurti, 'shtëpi e pa ditur'

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot në seancën e Kuvendit, e ka quajtur Qeverinë Kurti, “shtëpi të pa ditur”.

Kryetari i LDK-së, në kohën kur po shqyrtohej Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë ka thënë se ministri i Financave duhet të shkojnë në shtëpi.

“Një ministër i Financave si ky sot duhet më i marrë letrat më shku në shtëpi. Kjo është tragjedia e këtij vendi, një shtëpi e paditur, në Qeveri”- ka thënë ai.

Abdixhiku tutje ka komentuar deklaratë e ministrit Murati lidhur me çmimin e produkteve bazë.

“Ministri i financave tha se një produkt që vjen në kufi me një euro e 20 cent e shitet me 2 euro e 20 cent shitet me 1 euro në fitim. Pra nuk e kupton ministri financave edhe më pak kryeministri i tij që në momentin që një produkt futet në doganë 20 cent në start i merr TVSH, dhe më pas ka kosto të operimit, punëtorëve, punës, qirasë, distribucionit”- ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se kryeministri Kurti e “rrotullonte kokën me mosbesim” gjatë kohës sa po fliste ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Ka kohë që provojë të kuptoj se si i marrin vendimet këta. Doli ministrja e ekonomisë tha se çmimi i peletit i prodhimit të peletit është 180 euro e po shitet më fitim 500 euro, 700 euro në treg, e kryeministri e rrotullonte kokën në mosbesim”- ka thënë Abdixhiku.

Sa, i përket projektligjit për vendosjen e çmimit tavan të produkteve bazë, Abdixhiku ka thënë se është një reagim i vonë.

“Ky është një reagim i vonshëm. Po bëhen që tetë muaj që çmimet kanë filluar të rriten, këta nuk e kuptojnë as sa e kanë inflacionin”- ka thënë ai.

Kuvendi është duke e shqyrtuar në parim Projektligjin për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të propozuar nga Qeveria.

Tri partitë opozitarë në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK janë deklaruar kundër këtij projektligji.

Kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë ky projektligj ndihmon në sistuatat kur ka mungesë të pa pritur apo të vazhdueshme të produkteve themelore.

Projektligji parash veprime konkrete sidomos në produkte bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripen e kuzhinës, vezët e pulës, mishin  e pulës, sheqerin, produktet e higjienës personale etj.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.