Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku e pyet Kurtin nëse marrëveshja me Serbinë për energjinë është e mirë apo e keqe

Lidhur me arritjen për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryetari i Lidhjes Demokrsatike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke thënë se kreu i qeverisë nuk mund t’i ikën qëndrimeve të tij me aq lehtësi.

Tutje, ai ka thënë që kryeministri kurti ka nevojë të bëjë “dy sqarime bazike”.

“E para është logjike, a është marrëveshja e mirë apo nuk është e mirë? Nëse është marrëveshja e mirë, që është replikë e një marrëveshje paraprake, atëherë me të drejtë edhe mund t`i shtrosh argumentet se po, po kthehet legjitimiteti në veri, e po bledhen të hyrat në veri pas 20 viteve sepse marrëveshja është e mirë”, ka thënë Abdixhiku.

“Por nëse marrëveshja nuk është e mirë, atëherë duhet të flasim për legalizimin e Serbisë, po të citoj në Kosovë dhe në veri. Pra duhesh të qartësosh një element bazik: cila është natyra e marrëveshjes sepse të dyjat s’mund të jenë. Është kundërthënie politike e s’mund të sillesh as mish e as peshk”, ka vazhduar tutje ai.

Në anën tjetër, shefi i ekzekutivit i ka dhënë një varg përgjigjesh.

“Së pari si çdo kompani tjetër furnizimi, tash dhe në veri do të kemi një të tillë që operon nën kornizën ligjore dhe rregullative të Republikës së Kosovës, së dyti, edhe licencimi është i kushtëzuar, së treti marrëveshjet e viti 2013 dhe 2015 nuk janë të mira. Së katërti, gjendja në terren është shumë më e keqe se marrëveshjet e këqija. Dhe prandaj, ne kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik”, është përgjigjur Kurti duke mohuar tutje se ai ka ndryshuar qëndrime.

“Unë nuk kam ndryshuar as koncept as qëllime as qëndrime, mirëpo kam metoda që për konceptin dhe qëllimin e njëjtë bëj më të mirën të mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshta”, ka vijuar Kurti.