Abdixhiku e pret në takim Duda Baljen, flasin për thellim të bashkëpunimit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takimin deputetët e Duda Balje, ku temë diskutimi ndër tjerash ishte edhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet LDK-së dhe partisë që drejtohet nga Balje, Socialdemokratska Unija (SDU).

Sipas njoftimit, Abdixhiku dhe Balje, diskutuan për situatën politike në vend, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe SDU-së.

“Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, ka pritur kryetaren e SDU-së, Duda Balje. Kryetari Abdixhiku me znj. Balje diskutoi për situatën politike në vend, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe SDU-së” – thuhet në njoftimin e LDK-së.

Deputetja Duda Balje, kishte filluar kohë më parë të ketë kundërshtime me Lëvizjen Vetëvendosje.

Balje fillimisht kishte pasur disa reagime për lejimin e bartjes së shamisë si dhe kishte paralajmëruar se nuk do të përkrahë projektkodin civil, ku përfshihej edhe bashkëjetesa mes personave të gjinisë njëjtë.

Ndërkaq, më 27 korrik, në mbledhjen e Komisionit për Energji, Vetëvendosje kishte kërkuar largimin e dy anëtarëve të komuniteteve nga ky komision, Duda Balje dhe Ljubomir Karadziq për shkak të mungesave.

Kërkesën para komisionit e kishte bërë, deputeti i LVV-së, Armend Muja.

“Deputetja Duda Balje ka munguar në mbledhjen e datës 1 qershor 8, 10,17, 28 dhe deputeti Ljubinko Karadziq, munguar disa herë dhe nuk ka dhënë arsyetim”, kishte thënë ai.

Deputetja Duda Balje ishte kundërpërgjigjur duke thënë se kërkesa e LVV-së nuk është e arsyeshme sepse ajo nuk do të votoj ashtu siç dëshiron LVV.

“Nuk kam çka me fol, unë me kohë kam lajmërua, kam shkua në vizita zyrtare në bazë të vendimit te kryesisë, nuk e di pse keni bo tema prej kësaj, arsyeja është puro politike sepse unë nuk votoj qysh ju po doni me votu”, kishte deklaruar në atë kohë deputetja Balje.

VIDEO – LVV kërkon përjashtimin e deputetëve minoritarë nga Komisioni Hetimor për Energjinë