Abdixhiku: E mirëpresim marrëveshjen në Bruksel, e panevojshme dhe të dëmshme drama populliste e qeverisë
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se partia e tij vlerëson dakordimin lidhur me çështjen e targave e cila u arrit mbrëmë në Bruksel.
Megjithatë, Abdixhiku e ka quajtur “dramë popullsitë”, zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e targave dhe procesin e dialogut me Serbinë.
“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore” – tha ai.
Tutje Abdixhiku ka thënë se kjo sjellje ka bllokuar proceset kryesore integruese të vendit.
Ai ka thënë se sipas LDK-së, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i partisë opozitare, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik.
“LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur. Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”-thuhet tutje në reagimin e Abdixhikut.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dje marrëveshje lidhur me çështjen e targave.
Lajmin e ka bërë të ditur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
“Kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre” – ka njoftuar Borrell në Twitter.
Bisedimet mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të zhvilluara nën ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, më 21 nëntor, kanë përfunduar pa marrëveshje.
Përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell, kishte fajësuar Kurtin për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje.