Abdixhiku: Dialogu Kosovë – Serbi po kthehet në diskutime teknike dhe pa rezultat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka komentuar rreth marrëveshjes për targa e cila ka dështuar të arrihet gjatë ditës së djeshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Abdixhikut, problemi i dialogut Kosovë – Serbi po kthehet gradualisht në diskutime teknike për çështje teknike të Kosovës me Serbinë që sipas tij nuk është qëllimi i dialogut.

“Përderisa Kosova dhe Serbia mbeten në çështje teknike, sidomos Kosova atë herë do të zgjatet në pafundësi dialogu dhe s’do të ketë fare rezultate sepse çështjet teknike nuk janë problemet bazike të dy vendeve”, tha Abdixhiku.

Sipas tij dialogu përderisa është teknik është pa rezultat.

“Ajo çfarë më lë përshtypje në këtë drejtim është se targat e lëshuara nga qytetet e Kosovës nga Qeveria e Serbisë, tani po futen në një afat të pa përcaktuar, përderisa kishim arsyetim se do të vlenin vetëm për 6 muaj tani pa u thënë fare po futen në një afat të përjetshëm edhe pa agjendë të saktë”, shtoi Abdixhiku.

I pari i LDK-së tha se çdo komunikim ndërkombëtar është i qartë që Kosova të shfrytëzoj momentumin e tanishëm të jetë e gatshme të negocioj në çështjet për interes nacional për Kosovën siç është njohja e ndërsjellë dhe të mbroj rendin kushtetues, sovranitetin dhe frymën shtetërore gjithandej në gjithë territorin e Kosovës.

Dje ka dështuar arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.

Dje ishte dita e fundit për arritjen e marrëveshjes.

Zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me palën serbe dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Serbi-Kosovë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se nuk ka pasur gatishmëri nga Serbia për një marrëveshje.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, tha ai.