Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Çfarë duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit kur ke një kryeministër që të bën autogol

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për deklaratat se situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur.

“Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”, ka shkruar ai në facebook.

Sipas Abdixhikut, Kurti dëshiron krizën dhe protagonizmin.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?”, ka shkruar ai.

“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”, ka shtuar tutje Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë.

“Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarake, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

 

Kurti: Situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur