Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku akuzon Kurtin se me zotimin për implementimin e marrëveshjeve paraprake ka pranuar Asociacionin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se i’u krijua përshtypja se jeton në një univers paralel kur dëgjoi fjalimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili foli për dialogun dhe situatën në vend.

Abdixhiku ka thënë se bazuar në deklaratën e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, palët duhet të implementojnë marrëveshjet paraprake, përfshirë Asociacionin e komunave serbe në veri.

Ai ka thënë se me zotimin për implementimin e marrëveshjeve paraprake, Qeveria Kurti është pajtuar që të bëhet Asociacioni.

“Më lejoni të lexoj një paragraf të deklaratës zyrtare të Borrellit ku thuhet ‘Palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet paraprake të dialogut duhet të implementohen dhe Asociacioni’. Pse jeni pajtuar që të bëhet Asociacioni. Mund të thoni që nuk është i mirë, ose që keni vërejtje por të bëni fushata që nuk do ta bëni e në marrëveshjen e parë që nënshkruani zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky? Kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që e krijoni ju”- ka thënë Abdixhiku në Kuvend.

Kreu i LDK-së, tutje ka folur edhe për dorëheqjet e zyrtarëve serb në komunat në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se si pasojë e kësaj, mbi 17% e territorit të Kosovës është pa shërbime bazike administrative e komunale.

“Kur dëgjon pozicionimet e Qeverisë të krijohet përshtypja që jeton në një univers paralel, dy bota që s’përputhen me njëra-tjetrën. Kryeministri foli sot për siguri dhe luftë ndaj krimit, ndonëse sot mbi 17% e territorit të Kosovës është pa policë, pa prokurorë, pa gjykatës dhe pa shërbime bazike administrative e komunale”- ka thënë ai.

Kryeministri Kurti sot është përballë deputetëve, në interpelancën e ftuar për “masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”.

Interpelanca është ftuar nga opozita pas situatës së krijuar në veri, për shkak të targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Javën e kaluar u arrit  një dakordim për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.