Abbott: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen nga të gjithë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Abbott tha se të gjitha instuticionet e Kosovës duhet të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Duke i shikuar zhvillimet e fundit politike, unë besoj se është po është më e rëndësishme sa kurrë që Kushtetuta, dhe proceset që ajo mbulon, të respektohen nga të gjithë aktorët politikë. Kjo përfshin rolin e Gjykatës Kushtetuese që duhet të jetë në gjendje të diskutojë në mënyrë të pavarur, pa frikë ose favor, mbi ligjshmërinë e veprimeve politike nga të gjitha institucionet shtetërore kosovare. Vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjithë”, ka shkruar Abbott në Twitter.

Aktualisht në vend është duke u bërë përpjekje nga LDK që të formojë Qeverinë e re, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti më 25 mars.

Me të dekretuarin për kryeministër të ardhshëm – Avdullah Hoti, LDK-ja të mërkurën nënshkroi koalicion me AAK-në dhe Listën Serbe, ndërkaq të enjten bëri marrëveshje edhe me Nismën Socialdemokrate duke bërë të ditur se janë në negociata me AKR-në dhe partitë e tjera jo-shumicë.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, dje përmes një deklarate për media ka bërë të ditur se LDK-ja ka paraqitur kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, për të shtunën në ora 13:00.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dekretin që presidenti Thaçi e ka nxjerrë për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.