Abbott uron Kurtin: Pres të punojmë në prioritetet e përbashkëta

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, e ka uruar kryeministrin e ri Albin Kurti.

Abbott përmes një postimi në Twitter ka thënë që me Qeverinë e re do të punojnë në prioritetet e përbashkëta.

“Urime Albin Kurti në zgjedhjen tënde si kryeministër. Unë pres të punoj me ju dhe qeverinë tuaj në prioritetet tona të përbashkëta”, ka shkruar ai.

Deputetët e Kuvendit Kosovës me 67  vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë e re të vendit.

Kjo Qeveri do të udhëhiqet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Qeveria Kurti 1 ishte votuar më 3 shkurt të vitit të kaluar pas një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Qeveria e Kurti 1 është rrëzuar përmes një mocioni të mosbesimit më 25 mars 2020, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa më 3 qershor, deputet votuan për Qeverinë Hoti, e cila erdhi pas koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt 2021.Në këto zgjedhje LVV-ja së bashku më listën ‘Guxo’ të Vjosa Osmanit u rendit e para me 438 mijë e 335 vota apo 50,28%.Sot është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës.

Kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca me 69 vota.

Votohet Qeveria Kurti 2