
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Abbott për Asociacionin: S’bëhet fjalë për krijimin e një enklave njëetnike
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka mirëpritur diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në lidhje me çështjen e Asociacionit.
Abbott ka thënë se përmes dialogut Kosova është zotuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Një diskutim i mirëseardhur sot i organizuar nga ambasadori i SHBA-së dhe me pjesëmarrje të shkëlqyer. Nëpërmjet dialogut, Kosova është zotuar për krijimin e një AKS dhe i takon palëve të bien dakord për formën dhe kohën e themelimit të tij” – ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kosova është vend multietnik dhe komunat e saj do të mbeten multietnike duke shtuar se nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklave monoetnike.
“Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi që serbët e Kosovës të jenë pjesë integrale e Kosovës. Kosova është një vend multietnik dhe komunat e tij do të mbeten multietnike. Nuk bëhet fjalë për krijimin e një enklavë monoetnike”- ka shkruar Abbott në Twitter.
2/2 progress on both. Such a body is not only an international commitment, it also provides an opportunity for 🇽🇰Serbs to be an integral part of 🇽🇰. 🇽🇰is a multi-ethnic country & its municipalities will remain multi-ethnic. There is no question of creating a mono-ethnic enclave.
— Nicholas Abbott (@nickabbottfcdo) January 31, 2023
Ambasada amerikane ka organizuar sot një takim me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile për të dëgjuar perspektivat për Asociacionin.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është deklaruar pas takimit ku është diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore në Ambasadën amerikane për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të ndryshme të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizës së tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut”- shkruan Hovenier.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë me ngulm që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, diç që e parasheh një marrëveshje e nënshkruar 10 vjet më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i nisur më 2011.