Foto: Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott para studentëve të Fakultetit Filozofik. FOTO: KALLXO.com

Abbott: Kontributi më i fuqishëm që Kosova mund të japë për sigurinë evropiane është progresi në një marrëveshje dialogu me Serbinë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, u prit sot në takim në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (UP) ku mbajti një bashkëbisedim me studentët e këtij fakulteti.

Fjalimin e tij ambasadori britanik e nisi duke i përshëndetur të pranishmit në gjuhën shqipe, gjersa në vijim përmendi edhe luftën në Ukrainë për të cilën ai shprehu mirënjohjen ndaj Kosovës për përkrahjen që i ka ofruar Ukrainës.

Foto: Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott para studentëve të Fakultetit Filozofik. FOTO: KALLXO.com

“Unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen që Kosova i ka ofruar Ukrainës, qoftë duke siguruar strehim për gazetarët refugjatë apo për mbështetjen psikologjike për të mbijetuarit e dhunës seksuale” – tha ambasadori.

“Në Ballkanin Perëndimor asnjë komb nuk mund ta injorojë pyetjen se çfarë të ardhmeje dëshiron. A janë ata për liri dhe prosperitet apo dëshirojnë të mbeten pas autokratëve dhe kriminelëve?” – tha Abbott, i cili potencoi se ato vende anembanë globit që përkrahin Rusinë, po e gjejnë veten gjithnjë e më të izoluar dhe nën presion.

“Më vjen mirë që pozicioni i Kosovës është më i qartë, por tani është më urgjente se kurrë që ajo të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar të ardhmen e saj evropiane” – shtoi ai teksa përmendi edhe faktin se ende pas përfundimit të luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë ka shtete nëpër botë që nuk e njohin Republikën e Kosovës.

“Fatkeqësisht, është fakt se 23 vjet pas përfundimit të luftës dhe 14 vjet pas pavarësisë, Republika e Kosovës është ende e panjohur nga pjesa më e madhe e botës. Ajo duhej të luftonte në çdo hap të rrugës për çdo njohje, për çdo anëtarësim. Jam krenar që Britania e Madhe ka qenë krah për krah me ju në çdo hap të atij rrugëtimi. Miqësia jonë është e pakushtëzuar. Tani është koha për të shikuar përpara. As Kosova dhe as Serbia nuk përfitojnë nga status quo-ja. Vetëm Rusia e bën këtë”- u shpreh Abbott.

Tutje, ambasadori theksoi nevojën për progres mes një marrëveshje dialogut Kosovë-Serbi.

“Pra, kontributi më i fuqishëm që Kosova mund të japë për sigurinë evropiane tani është përparimi në një marrëveshje dialogu me Serbinë. Një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet dhe siguron pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar pa asnjë dyshim” – tha ai, teksa pohoi se kjo gjë nuk do të jetë e lehtë.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli i cili tha se ky fakultet do të jetë gjithmonë i hapur për debate të tilla.

FOTO: KALLXO.com