Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abbott: Gjenocidi është çështje e gjykatave, e jo politike

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, është deklaruar lidhur me padinë e paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Abbott në emisionin “Kallxo Përnime” tha se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar është që gjenocidi është çështje e gjykatave dhe jo politike.

Ai tha se nëse Kosova mendon që duhet të ndjekë rrugën e një padie, atëherë duhet ta bëjë këtë.

“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar është që gjenocidi është çështje e gjykatave, është çështje ligjore, jo politike. Prandaj, do të isha shumë i kujdesshëm në sugjerimin që duhet të jetë pjesë e negocimit politik. Nëse Kosova mendon që duhet të ndjekë rrugën e një padie, atëherë duhet ta bëjë këtë, por ky është një proces ligjor. Nuk mendoj që çështja e personave të zhdukur duhet të politizohet, mendoj që duhet të jetë pjesë e dialogut, sepse mendoj që edhe Kosova edhe Serbia kanë interes të përbashkët në zgjidhjen e asaj që në esencë është një çështje humanitare, kjo është një çështje për të cilën unë kam emocione të forta, dhe që ne e mbështesim si Ambasadë”, tha ai.

Abbott theksoi se Kosova dhe Serbia duhet që të dyja të kryejnë pjesën e vet lidhur me personat e zhdukur.

“Por gjithashtu mendoj që Kosova nuk duhet të besojë që kjo është e njëanshme, sepse nuk është vetëm për Serbinë dhe personat e zhdukur në Serbi, ka persona të zhdukur brenda Kosovës që duhet të gjinden, dhe mendoj që të dy shtetet duhet të kryejnë pjesën e vet të punës. Mendoj që shpesh ka dëshirë që të kuantifikohen gjërat, ka dëshirë që të thuhet po, por të jemi të sinqertë, ka më shumë shqiptarë që janë të zhdukur e që nuk e dimë se ku janë, pra ka më shumë sesa serbë të Kosovës që janë të zhdukur, apo romë apo të tjerë. Kjo është e vërtetë. Por, nuk mendoj që vuajtja njerëzore mund të kuantifikohet dhe nëse një familje që ka humbur një person të dashur nga cilido komunitet që i takon, është shumë e dhimbshme dhe duhet të bëhet diçka për ta adresuar këtë çështje”, deklaroi Abbott.