Abazoviq: Shpresoj se Qeveria e Malit të Zi do të formohet brenda 10-15 ditësh

I mandatuari për formimin e Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se shpreson se Qeveria e re do të formohet brenda 10-15 ditësh.

Këto komente Abazoviq i bëri sot në Ulqin, ku sot po mbahen zgjedhjet lokale.

Sipas Abazoviqit, bartësi i listës “Për fillim të ri” Omer Bajraktari do t’i fitojë zgjedhjet në Ulqin dhe kështu do të marrë fund diskriminimi e getoizimi 30-vjeçar i Ulqinit.

Bajraktari, i cili vjen nga partia e Abazoviqit drejton një koalicion të gjerë të përbërë nga  Aksioni i Bashkuar Reformist (ABR-URA) I Abazoviqit, Socialdemokratët e Malit të Zi (SD), Partia Socialdemokrate (PSD), Alternativa Shqiptare (ASh) dhe Partia Demokratike (PD).

Në garë për të parin e Ulqinit janë pesë lista zgjedhore.

Kuvendi i Malit të Zi e ka shkarkuar Qeverinë e Zdravko Krivokapiqit më 4 shkurt.

Mocioni i mosbesimit për Qeverinë e Krivokapiqit u propozua nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe partia opozitare e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual, Milo Gjukanoviq.