Foto: Edi Rama/Facebook

Abazoviq: Politikat e kaluara kanë qenë të konflikteve, të flasim për nismat e reja

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Samitin “Ballkani i Hapur” në Ohër, ka thënë se politika e së kaluarës nuk ka sjellë asgjë të mirë dhe se duhet bërë diçka për ta ndryshuar këtë.

Ai ka thënë se në Mal të Zi përveç liderëve aktual pret edhe kryeministrin e Kosovës që në Mal të Zi të diskutojnë për nismat e reja në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

“Ne duhet të bëjmë rikrijim të Ballkanit Perëndimor, që të bëhet kjo ne duhet të rrisim besimin mes njëri-tjetrin. Unë pres që edhe me kryeministrin e Kosovës të vini në Malin e Zi dhe të flasim për nismat e reja. Kjo është mënyra dhe mundësia e vetme se si mund të dëshmomi para qytetarëve tanë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kur të gjashtë përfaqësuesit e shteteve të jenë bashkë atëherë mesazhi drejt BE-së do të jetë ndryshe.

“Politikat e fundit, politikat e mosrespektimit të theksimit të konflikteve të vazhdueshme na kanë mbajtur këtu ku jemi tani. Detyra jonë është që të bëjmë diçka që ta ndryshojmë këtë. Kur kemi liderë të Ballkanit Perëndimor që flasin kundër njëri-tjetrit, atëherë na mbanë sa më larg BE-së. Kur të jemi këtu gjashtë persona atëherë mesazhi drejt BE-së do të jetë ndryshe”, ka thënë ai.

Në fund Abazoviq tha se nëse nisma e “Ballkanit të Hapur”, nuk duhet të shikohet si ide e një politikani.

“Ideja e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk duhet të shikohet si ide e një politikani. Kjo është ide se si qytetarët mund të shfrytëzojnë ndonjë shërbim më të lehtë. Nëse kjo mbetet dhe zhvillohet si e tillë, atëherë do të ketë ende më shumë mbështetje për këtë ide”, ka thënë ai.

Abozoviq për herë të parë ka marrë pjesë edhe Mali i Zi.

Përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq ditë më parë tha se nuk ka dëgjuar argument se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për shtetin që ai përfaqëson.

“Nuk kam dëgjuar argument të vlefshëm se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është i mirë për Malin e Zi”, ka thënë Abazoviq.

Pjesë e këtij samiti nuk është Kosova, e cila e ka refuzuar në vazhdimësi ftesën për pjesëmarrje në këtë nismë.