Dritan Abazoviq, kryeministri i Malit të Zi, Foto: Qeveria e Malit të Zi/Twitter

Abazoviq i gatshëm që të presë në Mal të Zi takimin e radhës së dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri malazez Dritan Abazovic ka deklaruar se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, raporton Vijesti.

Abazoviq tha se Mali i Zi “luan rolin e një pajtuesi” në rajon.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe jemi të etur të ndihmojmë në çfarëdo mënyre, duke përfshirë mbështetjen logjistike” – ka thënë Abazoviq.

Sipas Vijestit, kryeministri malazez ofroi mundësinë që Mali i Zi të presë një raund të ri të mundshëm negociatash mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë, të favorshme për Serbinë dhe Kosovën” – është shprehur Abazoviq.

Ai ka theksuar se më e rëndësishmja është që marrëveshja të zbatohet teksa shtoi se “Që të ndodhë kjo, palët duhet t’i përmbahen asaj që kanë rënë dakord”.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Ndërkaq, shtetet e BE-së  u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejtë detyrimet që rrjedhin nga takimi i Ohrit.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.