Abazoviç: Qeveria e re e Malit të Zi nuk do ta ç'njohë Kosovën

Duke e shijuar suksesin e tij me fitoren e opozitës në zgjedhjet e së dielës, Dritan Abazoviç thotë se malazezët votuan për ndryshimin në vend, por jo edhe sipas kursit të vendit në raport me politikën e jashtme.

Qeveria e ardhshme e Malit të Zi as nuk do ta largojë vendin nga NATO e as nuk do ta zhbëjë njohjen e saj ndaj Kosovës fqinje si një shtet i pavarur, i ka thënë BIRN një nga udhëheqësit e koalicionit të mundshëm qeverisës, duke shtuar se republika e vogël e Adriatikut nuk ka në plan të bëhet “një provincë e Serbisë apo pjesë e një Shqipërie të Madhe ”.

Dritan Abazovic, udhëheqësi i opozitës Zi në të Bardhë (Crno na Bijelo), thotë se plani ishte në “rivendosjen e dinjitetit” në institucionet shtetërore pas tri dekadash udhëheqjeje nga Partia Demokratike e Socialistëve, (Demokratska Partija socijalista Crne Gore)

Tridhjetë e pesë vjeçari, Abazoviç, me etni shqiptare, i lindur në qytetin bregdetar malazez të Ulqinit, është në bisedime me dy blloqe tjera – bllokun pro-serb ‘Për të Ardhmen e Malit të Zi’ (Za budućnost Crne Gore)  dhe ‘Paqja është kombi ynë’ (Mir je naša nacija) – për krijimin e një qeverie të re pasi ata fituan 41 nga 81 ulëset e parlamentit pas zgjedhjeve të së dielës.

 Paraqitja e fortë e ‘Për Ardhmërinë e Malit të Zi’, e cila si e vetme fitoi 27 ulëse, ka nxitur spekulimet rreth një ndryshimi në kursin e politikës së jashtme, e cila më shumë i shkon për shtati Serbisë dhe Rusisë.

Mirëpo në një intervistë për BIRN, Abazoviç tha se një frikë e tillë është e pabazuar.

“Ne jemi duke vazhduar politikën e jashtme të cilën e kemi ndjekur deri më tani dhe do ta përmirësojmë bashkëpunimin rajonal,” tha ai. “Qëllimi ynë është që të jemi anëtar i BE sa më shpejt të jetë e mundur.”

“Po vërej se disa njerëz në Mal të Zi dhe rajon kanë frikë nga shumica e re, por Mali i Zi nuk do të futet nën ombrellën e dikujt tjetër. Ajo nuk do të bëhet një provincë serbe apo  pjesë e një Shqipërie të Madhe. Me fitoren e opozitës, ne kemi rifituar sovranitetin tonë dhe tani duam të rivendosim dinjitetin në institucionet malazeze. “

Votë për ndryshim

Zgjedhjet e së dielës duket se kanë shënuar fundin e qeverisjes së pandërprerë tridekadëshe të PDS, e udhëhequr përgjatë krejt kësaj periudhe nga Presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanovic.

PDS ka fituar 30 ulëse, dhe mund të llogarisë vetëm edhe në 10 ulëse tjera nga aleatët e saj tradicionalë, që nënkupton se ka dështuar ta fitojë shumicën e nevojshme. 

Abazovic, koalicioni i të cilit ‘Zi në të Bardhë’ ka fituar katër ulëse, ka hedhur poshtë ndonjë bashkëpunim me PDS. Duke e cituar daljen e lartë të së dielës prej 75.9%, Abazovic ka deklaruar se malazezët kanë votuar për ndryshime. 

“Tani duhet të jemi me ata qytetarë të cilët kërkuan ndryshim,” tha ai. “Partia qeverisëse e Gjukanoviçit mori fund dhe nuk ka asnjë bashkëpunim me ta. Ne kemi bërë një marrëveshje për ndryshim dhe do ta përmbushim detyrimin tonë ndaj qytetarëve. ”

Me një diplomë pasuniversitare nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Abazovic ishte aktiv për vite me radhë brenda shoqërisë civile malazeze dhe në vitin 2012 ishte një nga themeluesit e partisë opozitare ‘Mali i Zi Pozitiv’ (Pozitivna Crna Gora).

Dy vjet më vonë, pas një ndarjeje në parti, Abazovic u largua për të shërbyer si një deputet i pavarur përpara se të bashkohej me  të sapothemeluarën ‘Aksionin e Reformës së Bashkuar’, URA, në vitin 2015.

Shqetësime lidhur me tensione etnike

Njoftimi nga ana e tij se koalicioni ‘Zi në të Bardhë’ – pjesë e së cilës është URA – do të hynte në qeveri me dy blloqet e tjera opozitare zgjoi kritika tek disa në Mali të  Zi dhe rajon që e akuzuan atë për bërjen e një pakti me nacionalistët.

Sidoqoftë, një ditë pas zgjedhjeve, udhëheqësit e të tre blloqeve njoftuan se nuk do të devijonin nga rruga e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe do të përmbushnin të gjitha angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra tashmë. Ata thanë se kabineti do të përbëhet nga ekspertë.

Ndërkohë që koalicioni ‘Për të Ardhmen e Malit të Zi’ (Za budućnost Crne Gore) është zyrtarisht kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, Milan Knezevic, udhëheqës i Frontit Demokratik pro-Serb që është pjesë e bllokut, deklaroi ditën e martë se, ndërkohë që marrëdhëniet me Rusinë dhe Serbinë duhet të përmirësohen, tërheqja nga NATO është e pamundur.

“Unë jam i kënaqur me faktin se të gjithë udhëheqësit opozitarë po tregojnë mirëkuptim se nuk është koha për tema që kanë të bëjnë me identitetin, pasi Mali i Zi duhet të shkojë drejt reformave dhe anëtarësimit në BE,” tha Abazovic. “Ne nuk do të heqim dorë për asnjë pëllëmbë nga interesat kombëtare të Malit të Zi dhe është diçka e mirë që të gjithë e kanë të qartë këtë”.

Blloqet opozitare u kanë kërkuar partive që përfaqësojnë pakicat kombëtare të Malit të Zi të bashkohen me ta. Partia boshnjake, e cila ka tre deputetë, e ka kundërshtuar një ftesë të tillë, ndërsa një nga dy koalicionet shqiptare ka treguar se do ta shqyrtojë këtë opsion.

Gjatë festimeve të fitores opozitare, policia raportoi disa incidente në të cilat boshnjakët u sulmuan verbalisht ose fizikisht, ndërsa të mërkurën sulmuesit e panjohur thyen xhamat e një dege lokale të Komunitetit Islamik, organi zyrtar që përfaqësonte muslimanët e vendit.

“Kjo mund të ketë ardhur nga njerëz të zhgënjyer me dekadat e regjimit të pandryshuar të Gjukanoviq, i cili i ka forcuar ndarjet politike dhe etnike në vend,” tha Abazovic. “Incidentet mund të vijnë gjithashtu nga elementët e ndërfutur të Gjukanoviq duke u përpjekur ti ndalojnë ndryshimet në Malin e Zi dhe ta shpëtojnë partinë e tij.”

Megjithatë, qeveria e re do të formohet në kohë, tha ai. “Ne jemi duke negociuar në lidhje me anëtarët e saj, por është shumë herët për të dalë me emra potencial. Natyrisht, ne gjithashtu kemi nevojë për mbështetjen e partive pakicë dhe presim përgjigjen e tyre për propozimet tona. “