Haki Abazi - LVV

Abazi: VV do t’i ketë 32 deputetë, s'lejojmë deformim të rezultateve

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar pas vendimit të PZAP-së që të rinumërohen rreth 1500 vendvotime.

Abazi përmes një postimi në Facebook ka thënë se partia nga e cila vjen do t’i ketë 32 deputetë në Kuvend dhe se lideri i kësaj partie, Albin Kurti është kryeministër, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Kurti është kryeministri, LVV është e para në listën e subjekteve më të votuar nga qytetari me 32 kuvendarë dhe LDK është e dyta e cila është votuar, poashtu për premtimin e ndryshimit të madh dhe përjashtimit të hajnisë dhe korrupcionit nga sistemi shtetëror qeverisës. Ky është verdikti i 6 Tetorit 2019”, ka thënë Abazi.

“Në fakt, këto zgjedhje ishin pastrimi higjenik i spektrit politik, njollat e mbetura pastrohen herën tjetër sepse kanë qenë të thella dhe të moçme e nuk hiqen krejtësisht e plotësisht me pastrimin e parë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se defektet e mundeshe të sistemit elektoral nuk mundë të rregullohen duke e dëmtuar dhe deformuar verdiktin e sovranit, ku sipas tij pikërisht nga ata që kanë përdorur këtë sistem për ta mbajtur peng vendin.

“Sistemi elektoral duhet të minimizojë hapsirën për intervenim nga dora e njeriut por duke e bërë sistemin sa më të pavarur dhe automatik dhe jo duke bërë deformin dhe inxhiniering të rezultateve”, ka thënë Abazi.

Dje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e miratoi si të bazuar ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD, për votat e ardhura nga Serbia, duke urdhëruar KQZ-në që të largoj nga rezultati përfundimtar këto vota. Gjithashtu PZAP-ja vendosi për rinumërim të 1 mijë e 472 vendvotimeve.

PZAP pranon ankesën e NISMA-AKR-PD kundër votave të Listës Serbe

www.kallxo.com