Abazi: Thaçi po e përdor Mustafën për ta luftuar kushtetushmërinë dhe shtetin e Kosovës

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deklaruar se presidenti Hashim Thaçi po e përdor kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për të përçarë partinë  dhe për ta luftuar kushtetutshmërinë dhe shtetin e Kosovës.

Abazi ka shtuar se pyetjet e Thaçit nuk zëvendësojnë qëndrimin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit dhe “gjithashtu edhe nuk mbulojnë shkeljen e Kushtetutës”.

“Para dhe gjatë luftës, Thaçi ka përdorur shokët e tij për të përqarë e luftuar LDK, tani po e përdorë Mustafën për të përqarë e luftuar kushtetutshmërinë dhe shtetin e Kosovës dhe ndarë LDK. Ata që janë në listën e zezë të Amerikës dhe që kanë probleme me ligjin dhe kushtetutën e Kosovës nuk përbëjnë interesin e qytetarëve, e as nuk i kontribuojnë demokracisë dhe marrëdhënieve me shtetet demokratike”, ka shkruar ai në Facebook.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim më liderë të partive politike parlamentare për të marrë qëndrim nëse janë për zgjedhje apo Qeveri të re.

Ky veprim erdhi pasi presidenti përmes një letre, liderit të LVV-së, Albin Kurtit i ka thënë se nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për ta formuar Qeverinë e re.

Në këtë takim, të gjitha partitë politike përveç LVV-së janë shprehur kundër shkuarjes në zgjedhje.