Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Serbia nuk do të bëhet kurrë hisedarë në Ujman

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se liqeni u Ujmanit asnjëherë nuk do të jetë në pronësi të Serbisë.

Ai, në Debat Pernime, ka thënë se zotimet që janë bërë në Uashington do të rishqyrtohen me administratën e re në ShBA.

“Ujmani do të mbetët Ujman, uji është çështje e burimeve natyrore, ajo që është e rëndësishme është se Serbia nuk do të bëhet kurrë hisedarë i kapaciteteve energjetike, sepse nuk ka qenë kurrë. Kosova me buxhetin e saj ka financuar Ujmanin dhe do të mbetet ashtu, hisedarja e vetme, përkundër zotimeve që janë bërë në Uashington të cilat janë bërë pa analiza”, ka deklaruar Abazi.

“Neve nuk na duhen studime të fizibilitetit për ta detyruar Serbinë që ta pranoj Kosovën, neve na duhet menaxhim i plotë i kapaciteteve energjetike, ashtu siç e kemi në pronë si resurs”, thotë kandidati për deputet nga LVV.

“Unë mendoj që, administrata Biden do ta kuptoj që këto kanë qenë iniciativa për qëllime elektorale. Ne do ulemi e do bisedojmë, nuk është çështje se a pranojmë a jo”, deklaroi Abazi.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Valon Murtezaj nga LDK, Haki Abazi nga VV dhe Emilja Rexhepi nga NDS, të cilët do të flasin për ‘Politikën e jashtme’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.