Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi nga VV: Letra e Biden vendos Kosovën dhe Serbinë në nivel të barabartë

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Haki Abazi, ka thënë se letra e presidentit Joe Biden dërguar para disa ditëve në adresë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, tregon një nivel të barabartë Kosovën dhe Serinë.

Ai, në Debat Pernime, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Kosovës kanë kthyer vëmendjen e këtij shteti në drejtim të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.

“Mendojë që është një nismë e rëndësishme për qytetarët letra e presidentit Biden në më pak se një muaj si president i ri i ShBA-së, është sinjal i fuqishëm që pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan  është i qartë, në raport me Kosovën është në pikën ku presidenti Clinton, presidenti Bush, ka përcaktuar për Kosovën si shtet i pavarur dhe nuk ka asnjë hapësirë nëpërmjet letrës për të iu kthyer makinacioneve të mundshme, të cilave i është nënshtruar Kosova vitin e fundit, duke tentuar që për çështje të brendshme të Kosovës të zhagitet më tutje dialogu. Gjuha në letrën është e qartë, nuk flet për koncencione që Kosova duhet t’i bëjë që Serbia të lëvizë drejtë Kosovës, nuk i referohet në asnjë mënyrë zotimeve që janë bërë në kohën e z. Trump, kjo përcakton një linjë të re në kuptimin e kthimit të ShBA-së”, ka thënë Abazi.

“Letra vendos Kosovën të barabartë me Serbinë, pra njohjen e dyanshme”, ka vlersuar kandidati për deputet nga LVV.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Valon Murtezaj nga LDK, Haki Abazi nga VV dhe Emilja Rexhepi nga NDS, të cilët do të flasin për ‘Politikën e jashtme’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.