Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Në listën e zezë të amerikanëve nuk janë anëtarët e LVV-së por të PDK-së

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe njëherit deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi në seancën e Kuvendit ku po debatohet për politikën e jashtme të Kosovës, ka thënë se në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së), nuk janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje por të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk e kuptoj cila është logjika që Kosova të jetë në marrëdhënie të këqia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në fund, në listën e zezë të amerikanëve nuk janë anëtarët e VV-së. Janë njerëz të cilët krimin dhe korrupsionin i kanë pasë instrument të politikës së jashtme, njerëz që e kanë shty Kosovën drejt ndarjes, njerëz të cilët janë anëtarë të PDK-së”, ka deklaruar Abazi.

Abazi ka thënë se referendumi i Serbisë në Kosovë dhe mos mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë janë suksese në politikën e jashtme të Kosovës.

“Referendumi i Serbisë në Kosovë i ndaluar dhe mos mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë janë dy suksese të jashtëzakonshme të kthimit të suksesit të Kosovës në politikën e jashtme. Referendumi dhe zgjedhjet e kanë kthy Kosovën në raport bilateral me Serbinë, ky është një progres i jashtëzakonshëm”, ka thënë Abazi.

“Pozicioni për të kërkuar njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian është prioritet në të dyja objektivave, një drejt BE-së dhe e dyta për anëtarësim në NATO. Ky proces ka shënuar një dinamizim i cili duke qenë se e kemi këtë fqinjin verior shumë më të fortë se na, sigurisht që një pjesë e proceseve duhet të ndodhin në radar”, shtoi ai.

Abazi theksoi se lufta në Ukrainë ka ridimensionuar aspektin e politikës  së jashtme dhe të sigurisë, duke shtuar se nga ky konflikt janë zhveshur maskat e Serbisë dhe të Rusisë.

“E vërteta është që konflikti, lufta në Ukrainë ka ridimensionuar aspektin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Bashkimit Evropian, po jo vetëm. Në fatkeqësinë e Ukrainës janë zhveshur nga maskat edhe Serbia edhe Rusia sa i përket peshës së tyre në lojën diplomatike dhe proceset në të cilat është duke shkuar Bashkimi Evropian, ky është moment i rëndësishëm, por jo për poena politikë, por për ndërtim të pozicioni të Kosovës”, ka theksuar Abazi.

Tutje, ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Karrigeja në OKB mirë që nuk është reale sepse nuk ka qenë reale edhe në momentin kur keni dashtë me nda Kosovën, do të thotë idea që ju në të kaluarën keni propagandu që mund të bëhemi anëtar të OKB-së duke e nda Kosovën ka qenë po aq jo reale sa që është sot, sepse në Këshill të Sigurimit është Rusia me të drejtën e vetos, kaq e thjeshtë është kjo punë”, tha Abazi.

Ai shtoi se për një vit, është e vështirë që të reformohet i gjithë sistemi dhe të rindërtohet pozicionimi i Kosovës.

“Për një vit është vështirë të reformohet i gjithë sistemi dhe të rindërtohet pozicionimi ku nga vendet dhe pozicionet që Kosova ka ndërtu kur kemi pasë edhe raste kriminale, ku është bë shitje e armëve nëpërmjet përfaqësimeve diplomatike tona, me u kthy në një pozicion i cili në mënyrë kredibile e serioze merret me qendrat e vendosjes”, ka deklaruar Abazi.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë me një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar në lidhje me zhvillimet e politikës së jashtme të Kosovës.