Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi: Marrëveshja e përkohshme për targat, një test për Serbinë

Përfundimet nga Samiti në Slloveni, liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë, dhe përmbushja e obligimeve në procesin evropian, janë disa nga temat të cilat komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës i ka diskutuar me Tomash Szunyog, udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur në një deklarim për media, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi.

“Takimi ishte konstruktiv, biseduam gjerë e gjatë për pikëpamjet e Bashkimit Evropian, pritjet e qytetarëve dhe institucionet e Kosovës, kemi një pajtim që nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përveç se përfundimi në integrimet evropiane, është e mirëseardhur ndihmesa sepse e dimë që kapacitet e institucioneve tona duhet të ngritën në nivel tjetër për t’i përmbushur obligimet që ka Kosova ndaj dokumenteve dhe marrëveshjeve të nënshkruara deri tani”, tha ai.

Sipas Abazit nuk ka lidhje mes procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimit në BE.

“Çështja e liberalizimit të vizave, është e ndarë nga procesi i integrimit të BE-së dhe kjo si rrjedhojë është që takimi i Bërdos nuk ka pas në fokus çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve kosovar”, tha ai.

Abazi tha që në takim është biseduar edhe për marrëveshjen e targave të nënshkruar ditë më parë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“U bisedua për dialogun me theks të veçante çështjen e targave dhe ajo se çfarë mësime kemi nxjerrë nga ky proces, konstatimi i dyanshëm ishte që kemi një marrëveshje të përkohshme e që duhet të jetë një test për Serbinë, sidomos që të vijmë në nivelin e pranimit të barabartë”, tha ai.

Ditë më parë Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për targat në Bruksel, pas më shumë se 10 ditësh protestë të qytetarëve serb të cilët bllokuan rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për pagesë prej 5 euro për targa të përkohshme për automjetet që hynin në Kosovë.