Abazi: Ligji për COVID-19 u refuzua e Hoti drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme

Ish- zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka kritikuar Hotin në lidhje me deklaratat e këtij të fundit se Kosova është drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Në një postim në Facebook, Abazi ka thënë se Ligji për Menaxhimin e COVID-19 është refuzuar ndërsa ka thënë se Kosova po drejtohet drejtë gjendjes së jashtëzakonshme.

“Ligji për menaxhimin e COVID- 19 u refuzua ndërsa po drejtohet vendin drejt shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e qeverisë Koti. Kjo është lojë me zjarr e qeverisë Koti. Kjo është forma për të manipuluar procesin e dialogut sepse asnjë gjendje e jashtëzakonshme nuk e ndërton e as nuk e zëvendëson besimin qytetarë në luftën me pandeminë. Koti po lajmëron gjendje të jashtëzakonshme që në fakt paska qenë kushti për ta miratuar PDK buxhetin e rishikuar dhe potencialisht hyrjen në qeverinë e zgjeruar Koti”, ka shkruar Abazi.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se të dielën do të ftoj në takim Komitetin për Menaxhimin me COVID-19 si dhe Këshillin e Sigurisë për të diskutuar dhe vlerësuar nëse do të jetë e nevojshme që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së pandemisë.

Në një intervistë në Klan Kosova, Hoti tha se gjendja e jashtëzakonshme shpallet nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Të dielën e kam thirrur takimin tjetër të komitetit për të bërë vlerësimin tjetër të situatës shtesë me informata shtesë që kemi kërkuar dhe pas asaj e kam ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë nëse duhet të shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Të dielën do ta shqyrtojmë sepse vendimin përfundimtar e merr kuvendi por ne do të vlerësojmë nëse duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, tha Hoti.

Hoti gjithashtu tha se ‘jemi duke shkuar drejtë gjendjes së jashtëzakonshme’.

“Tash jemi duke shkuar drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Sonte kam pasur takim me Komitetin për Menaxhimin e COVId-19, kemi biseduar shumë hapur, mund të jetë vendim jo popullor por jam i gatshëm të shkoj në ekstreme për të ruajtur jetën e qytetarëve”, shtoi Hoti.

Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar tetë viktima nga COVID-19. Në total numri i personave të vdekur nga coronavirus është 95 e në anën tjetër të regjistruar si të infektuar janë gjithsej 4 mijë e 307.