Haki Abazi - LVV

Abazi: Ky është vendi ynë, kurrë nuk do të lodhemi si LVV duke punuar

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi pas rrëzimit që Qeverisë Kurti ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalet asnjëherë.

“Ky është vendi ynë, kurrë nuk do të lodhemi si LVV duke punuar për të, kurrë nuk do të ndalemi së shërbyeri pa asnjë kusht drejt realizimit të qëllimit”, ka shkruar Abazi në facebook.

Abazi ka thënë që së bashku do t’ia dalin të gjitha sfidave si parti.

“Faleminderit çdokujt, që përkrah e punon çdo ditë për të ndihmuar që ta kalojmë së bashku këtë sfidë me COVID-19.E ngritja ka kuptim vetëm së bashku. Të shëndetshëm e të fortë, ia dalim çdo sfide në rrugëtimin tonë”, ka shkruar tutje ai.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua sot nga një mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.117 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet.

Shqyrtimi i mocionit të mosbesimit ndaj ekzekutivit ishte kërkuar të shtyhet për shkak të gjendjes së krijuar nga coronavirusi, nga i cili deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 71 raste.

Qeveria Kurti u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.