Haki Abazi - LVV

Abazi i VV-së komenton vizitën e Thaçit në Paris dhe takimin me Vuçiqin

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po dëshiron ta japë veriun e Kosovës përmes Parisit.

Komenti i Abazit është bërë pak ditë pasi Presidenti Thaçi qëndroi në Paris ku u takua me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atë francez, Emmanuel Macron.

Ai ka komentuar edhe iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për nismën e “mini-Schengenit” ballkanik.

“Rama me minishengen po tregon nënshtrimin ndaj agjendës varefëruese e gllabëruese por edhe kriminale. Hi syve për dështimin para oligarkëve në Shqipëri dhe për dështimin në integrimet Evropiane. Në anën tjetër Thaçi tani “dhuratën e Rankoviqit” po do me dhëne nëpërmjet Parisit, pikërisht aty ku Esat Pashë Toptani bënte pazare”, ka shkruar Abzai në “Facebook”.

Ai ka komentuar edhe rinumërimin e votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Me lojën e PZAP duan të shpërqendrojnë qytetarin, të vonojnë ditën e turpit dhe duan ta vazhdojnë mëkatin ndaj popullit Shqiptar në të gjitha trojet. Ky popull, në gjitha trojet dhe diasporë, nuk ka me duru më nënshtrimin e pa ligjësinë, sundimin e oligarkëve mbi tokë e nëntokë”, ka thënë tutje ai.

“Fitorja e votës qytetare në Kosovë është çlirimi i vërtet, është drejtësia dhe demokracia, nga kjo gjë po frikësohen ata që ja kanë mbajt çizmen ne fyt popullit, por tani ka ardh dita e fitores që nuk kthehet mbrapa por rritet për çdo ditë”, thotë Haki Abazi.