Abazi: Gjykata Kushtetuese në mënyrë tinëzare, ka shembur rendin kushtetues

Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke shkruar se “ajo çfarë po thotë Gjykata Kushtetuese është se pavarësisht zgjedhjeve, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, presidenti në një Republikë Parlamentare si kjo e jona paska të drejtë të mandatojë këdo që me qëllim ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve paraprakisht sepse e ka parë mundësinë që të marrë pozitën e kryeministrit”.

Abazi përmes një postimi në rrjetin social facebook, tha se ky vendim përkrah rrëzimin e qeverisë me fituesin 50 ditë pas formimit.

“Ky është precedenti më i rrezikshëm që mund të lejojë një vend demokratik. Gjykata Kushtetuese përmend numrin e votave të mocionit- ‘harron’ që aty janë 20 vota minoritare që nuk kalojnë fare në sistemin e votimit dhe janë së paku 20 të tjerë të inkriminuar e të ‘favorizuar’/kushtëzuar se si duhet votuar”, ka shkruar ai.

Gjykata Kushtetuese sipas tij mbrëmë në mënyrë tinëzare, ka shembur rendin kushtetues, duke përkrahur shembjen e rendit demokratik dhe vullnetin qytetarë.

“Argumentimi dhe arsyetimi i vendimit është politik dhe antidemokratik dhe asnjëherë ligjor e kushtetues.  Keqardhje që Gjykata Kushtetuese bëhet amplifikatori i së keqës dhe i jep krah kapjes së shtetit”, përfundoi ai.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi për Avdullah Hotin