Ilustrim

Abazaj: Me ligjin e ri komunave do t'iu mundësohet ulja e pragut të normës tatimore

Kryesuesi i drejtorëve të Financave në kuadër të Asociacionit të Komunave, Jeton Abazaj, është deklaruar lidhur me reagimet në opinion për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Abazaj ka sqaruar se fatura e tatimit përmban vlerën e pronës për m2 të përcaktuar nga Ministria e Financave dhe normën tatimore të përcaktuar nga Komuna.

Ai ka thënë se sipas Ligjit Nr 06/L-005 për tatimin në pronë respektivisht nenit 18, Ministria e Financa e ka për obligim që t’i bëj vlerësimet e pronave çdo 3 vite, dhe se ky vlerësim që ka bërë Ministria është bazuar në çmime të tregut dhe kjo ka ndikuar që të jetë kjo rritje në faturat e tatimit në pronë.

“Tash njëkohësisht është draftu edhe ligji i ri i tatimit në pronë, unë si kryesues që kam qenë pjesë e këtij ligji dhe kam propozu që në ligin e ri Komunat mos të kenë kufizime në përcaktimin e normës në mënyrë që pastaj ne të kemi mundësinë e përcaktimit të normës më të ultë. Duke u bazu në këto më lartë e lus Ministrinë e Financave që sa ma shpejtë ta dërgon ligjin në Kuvend në mënyrë që të aprovojnë ligjin e ri e me të cilin ju mundësohet Komunave ulja e pragut të normës tatimore, me këtë ka mundësi që të ulet vlera e faturës!” – ka shkruar Abazaj i cili njëkohësisht është drejtor i Financave në Komunën e Pejës.

Abazaj më tej sqaron se Komunat e përcaktojnë normën tatimore siç e shpjegon neni 9 i këtij ligji, edhe këtu Komunat kanë të drejtë të përcaktojnë mes minimumit dhe maksimumit 0,15% deri 1%.

Ai ka lutur Ministrinë e Financave që sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e draftuar në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet Komunave ulja e pragut të normës tatimore, dhe sipas tij, me këtë ka mundësi që të ulet vlera e faturës.

“Në fund as Komuna e Pejës e as Komunat tjera nuk janë fajtore për rritjen e faturave të tatimit në pronë, ashtu siç po e shihni që vlerësimet për m2 bëhen nga Ministria e Financave!” – ka përfunduar ai.

 

Lidhur më këtë çështje ka reaguar edhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami e cila ka deklaruar se komunat nuk e kanë bërë asnjë veprim për rritjen e tatimit në pronë, por se Ministria e Financave e ka për obligim që t’i bëj vlerësimet e pronave çdo 3 vjet.

Sipas deputetes së LDK-së, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve duhet me një vendim të pezulloj vlerësimin e fundit të patundshmërive në vend, sepse është bërë në kushte të një inflacioni enorm.

Sot gjatë ditës ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës duke cituar dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Krahas kësaj thuhet se autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave, e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave.