Aalmo: Çështja e targave, burim për jostabilitet në Kosovë
Alexander Avles Aalmo, zëvendës këshilltar politik në KFOR ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë por e brishtë.
Sipas tij, moszgjidhja e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel është ‘burim i jostabilitetit në Kosovë’.
“Problemet me targat e automjeteve dhe gjatë verës problemet me letërnjoftimet janë disa çështje që duhet të zgjidhen në dialog, por janë probleme që ndikojnë në lëvizjen e lirë. Jemi të shqetësuar edhe për targat, kjo ka nxitur edhe reagim agresiv nga komuniteti lokal, po punojmë që ta zbusim” – tha ai të shtunën.
Në fjalën e tij në seminarin Rose Roth, Aalmo tha që KFOR është duke u përpjekur që të mos ketë tensione në veri, ashtu siç ka ndodhur dy muaj më parë.
“Është komplekse dhe ndërlidhet me një marrëveshje në suaza të procesit të dialogut. Ajo çka kemi parë gjatë verës dhe që vazhdon deri në fund të këtij muaji kur përfundon afati për regjistrimi, shumë pak nga ta ka vendosur t’i regjistrojë, kjo është problem për neve, por ne do të përpiqemi që të ndalojmë paraqitjen e problemeve për këtë çështje të pazgjidhur” – theksoi ai.
Sipas tij KFOR është i shqetësuar edhe me menaxhimin e energjisë elektrike në veri të vendit.
“Ne jemi të shqetësuar me situatën aktuale energjetike në Kosovë, aspektin e menaxhimit të energjisë në veri. Jemi të interesuar të minimizojmë ndonjë zhvillim të papritur negativ në këtë drejtim” – tha tutje ai.
Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.
Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.
Kjo më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.