Haradinaj kundër shuarjes së Task-Forcës që po heton ministrat e tij

Në mbledhjen e Qeverisë më 19 tetor pothuajse gjithçka shkoi mirë mes partnerëve të koalicionit, duke miratuar të gjitha vendimet e propozuara. Në mesin e shumë vendimeve të Qeverisë ishte edhe ai për shuarjen e Task Forcës Speciale Anti-Korrupsion.

Por, pesë ditë më vonë, Ramush Haradinaj, kreu i partisë që ka pesë ministra në Qeverinë Hoti, e kishte quajtur “vendim të ngutshëm” shuarjen e Task-Forcës së formuar në vitin 2010 nga Qeveria e Hashim Thaçit.

“Shkarkimi i Task-Forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike”, kishte shkruar Haradinaj. “Kjo Task-Forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia.”

Ai ka thënë se gjatë kohës së tij si kryeministër ka pasur hetime për punën e kabinetit të tij, por ai vetëm sa e ka forcuar sistemin duke i rritur pagat.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Reagim të menjëhershëm kishte marrë nga kryeministri Hoti.

“Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, kishte shkruar Hoti po atë ditë.

Haradinaj i është kundërpërgjigjur duke thënë se “bashkëpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë” si dhe duke e postuar një “qëndrimi të shtetit aleat”, i cili thotë “fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”.

Mirëpo çfarë kishte ndodhur me qëndrimin e AAK-së për shuarjen e kësaj Task-Force mbetet mister.

Anëtarët e AAK-së në kabinetin qeveritar kishin për shuarjen e Task-Forcës. Përveç ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, që kishte abstenuar, të tjerët kishin votuar pro.

AAK përfaqësohet në Qeverinë Hoti me një zëvendëskryeministër dhe 4 ministra, apo gjithsej 5 vota në kabinetin qeveritar. Besnik Tahiri, Ramë Likaj, Meliza Haradinaj Stublla dhe Blerim Kuçi kishin ngritur dorën për të votuar pro shuarjes së Task-Forcës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me të gjithë, zëvendëskryeministrin Tahiri dhe ministrat e AAK-së, por asnjëri nga ta nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Një nga hetimet e realizuara nga Task-Forca është edhe për anëtarët e kabinetit të Qeverisë së Ramush Haradinajt. Një nga hetimet që ende nuk është përmbyllur nga Task-Forca është pagesa prej 53 milionë eurosh për konzorciumin “Bechtel & Enka”.

Prokuroria Speciale kishte konfirmuar se është duke zhvilluar hetime për gjetjen e përgjegjësve që i shkaktuan 53 milionë euro dëm buxhetit të Kosovës pas dështimit për të përmbushur obligimet ndaj kompanisë që ndërtoi autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ministër i Infrastrukturës në kohën kur ishte marrë vendimi për t’ia dhënë 53 milionë euro konzorciumit “Bechtel&Enka” kishte qenë Pal Lekaj i AAK-së.

Përveç 53-milionëshit, Prokuroria Speciale kishte filluar hetime edhe për bashkëpartiakun tjetër të Haradinajt, Rexhep Kadriun. Ky hetim kishte nisur pas publikimit të hulumtimit në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” në të cilin ishte zbuluar se betonimi i autostradës së Gjilanit po bëhej nga kompania e familjes së zv.ministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu.

Departament Special Anti-Korrupsion ishte themeluar në shkurt të vitit 2010 në bashkëpunim me EULEX-in, në kohën e Qeverisë Thaçi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themeloj, një Departament Special Antikorrupsion, me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë”, thuhej në pikën 1 të vendimit të 2010.

Në këtë departament kanë qenë të përfshirë 8 prokurorë, 30 hetues policorë dhe 5 ekspertë që kanë pasur përgatitje dhe eksperiencë në fushën e tatimeve dhe dukurive të tjera negative.