Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK thotë se janë befasuar me rezultatin e zgjedhjeve në Podujevë

Rezultati i zgjedhjeve të 17 tetorit ka qenë befasues për Aleancën e Ardhmërinë e Kosovës në Podujevë, me kandidatin për kryetar Besnik Tahiri, thonë nga dega e AAK-së në këtë komunë.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, AAK-ja është renditur e katërta me 3,98 për qind të votave, pas LDK-së, LVV-së e PDK-së.

Kjo komunë do të shkojë në balotazh, mes LDK-së dhe LVV-së.

KALLXO.com të mërkurën dhe të enjten ka provuar të marr një qëndrim nga kandidati i AAK-së për kryetar të Podujevës, Besnik Tahiri por i njëjti nuk e ka hapur telefonin, dhe as nuk është përgjigjur në pyetjet që i janë dërguar me shkrim.

Ndërkaq, udhëheqësi i shtabit zgjedhor të Degës së AAK-së në Podujevë, Egzon Bejta ka thënë për KALLXO.com se janë befasuar për rezultatin zgjedhor, duke pasur parasysh punës që kanë bërë.

“Rezultati ka qenë befasues për ne, duke pasur parasysh që e kemi bërë një punë më shumë se tetë mujore, mirëpo në fund sovrani ka vendosur dhe duhet me respektu. Arsye nuk kanë, pasi nuk e kemi bërë asnjë gabim brenda këtyre tetë muajve. Kemi qenë e vetmja parti me plan konkret, 55 faqe program për ato nevoja të qytetarëve, mirëpo pse nuk është shpërblyer nuk ka ndonjë arsye specifike”, tha ai për KALLXO.com.

Duke folur për koalicionet e mundshme, Bejta tha se janë për bashkëpunimit me partitë e tjera por se ende nuk kanë vendosur se me kë mund të bëjnë koalicion.

“Jo akoma nuk kemi biseduar për koalicione pasi ende nuk jemi takuar si kryesi, ditëve në vijim pritet të takohemi. Dhe normalisht që nuk do të rrimë duarkryq, do të rreshtohemi, por me cilën parti akoma nuk kemi vendos. Po, jemi pro koalicioneve të mundshme”, u shpreh ai.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga ueb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh, ndërsa në 17 është përcaktuar fituesi më 17 tetor.

Këto janë 21 komunat që pritet të shkojnë në balotazh