AAK i thotë Mytaher Haskukës, 'shihemi në gjyq'

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas mbylljes së zyrës së kësaj partie në Prizren duke thënë e pushteti i kryetarit të kësaj komunë Mytaher Haskuka ua ka mbyllur zyrën.

“Në mënyrë arbitrare, pa prezantuar fletë poseduese, Aleanca u dëbua nga zyrat në Prizren. Në këtë mënyrë pushteti i Haskukës, që është në muajt e fundit të tij, po provon që me represale të ndalojë zërin e opozitës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Sipas AAK-së, kjo mënyrë e sjelljes së kryetarit të komunës, ngjason me metodat moniste porse nuk do ta tremb Aleancën që të paraqes realitetin e qeverisjes së VV-së me Prizrenin, “e që kryefjala e saj është: Dështim i plotë”.

“Duke qenë se Aleanca respekton institucionet, edhe pse të njëjtat nuk kanë ofruar dokumentacion e mjaftueshëm, ne kemi lëshuar zyrat, ndërsa shumë shpejt do të vendosemi në hapësira të tjera”, thuhet tutje, duke shtuar se AAK-ja do të ankohet për këtë veprim arbitrar, sepse janë të bindur që drejtësia është në anën e tyre.

“Haskuka do të shkojë, por do të mbetet turpi që e lë pas vetes”, thekson AAK-ja.

Ilir Baldedaj, shef i Grupit të Asambleistëve të Aleancës në KK Prizren, ka thënë se këto zyre nuk janë pronë e Komunës, por që e kanë respektuar vendimin.

“Kjo nuk është pronë  e Komunës, por ne e kemi respektuar vendimin dhe e kemi liruar zyrën. Për procedurat tjera do të shihemi në gjykatë”, tha Baldedaj.