AAK-PSD premton ndërtimin e dy stadiumeve lokale dhe atij kombëtar

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, njëkohësisht kandidat për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Shyqiri Bytyqi ka thënë se nëse koalicioni i tij qeverisë me vendin do të ndërtohen tri stadiume futbollistike.

“Tashmë e kemi një stadium që duhet të përmirësohet është tjetri në Mitrovicë që mund të bëhet dhe stadiumi kombëtar që duhet të ndërtohet. Mandati jonë do t’i bëj dy stadiume lokale dhe një kombëtar”, ka thënë ai në Debat Pernime.

Ai premtoi edhe shtimin e inspektorëve në arsim. Ndërsa tha se brenda pesë viteve do të kryhet edhe testimi dhe rivlesimi i mësimdhënësve.

Më poshtë mund t’i lexoni përgjigjet e kandidatit për deputet nga AAK-PSD:

Jeta Xharra: Kur ka me u kry testimi dhe rivlerësimi i mësimdhënësve ?

Shyqiri Bytyqi: Është e rëndësishme që ka filluar dhe nuk është e mundur me u përfundu para 5 viteve.

Jeta Xharra: Sa inspektor të arsimi keni me i pas kur të vini në pushtet ?

Shyqiri Bytyqi: Aktualisht janë 30 shtesë duhet edhe 20 tjerë për të plotësuar brenda 5 viteve.

Jeta Xharra: Çka do të bëni me mësuesit që kanë mbetur pa punë pas mbylljes së shkollave ?

Shyqiri Bytyqi: E para duhet të kontrollohet regjistrimi i mësimdhënieve nëpër universitete që mos të kemi tepricë dhe pastaj këta duhet t’i zëvendësojmë me mësimdhënësit që kanë nevojë me dal në pension të parakohshëm dhe me mësimdhënësit që kanë ndonjë sëmundje.

Jeta Xharra: A do të siguroheni se çdo shkollë e Kosovës do të jetë e kompletuar me laborator dhe kur do t’i kenë këto mandate ?

Shyqiri Bytyqi: Tashmë ka filluar ky proces, kështu që brenda mandatit të gjitha shkollat do të pajisen me laboradoret.

Jeta Xharra: Këtë vit për herë të parë është bërë ligji për sponozorim, këtu është mbështet edhe ligji për tatim në korporata. A keni me i bo transparente të gjitha dokumentet edhe emrat e bizneseve që iu njihet e drejta 30% të fitimeve me i dhënë për sport?

Shyqiri Bytyqi: Duhet të qartësohet kjo, ATK-ja duhet t’i bëj më shumë transparente dhe bizneset kanë obligim vetë t’i bëjnë transparente.

Jeta Xharra: Sa stadiume do t’i plotësojnë kushtet e UEFA-së deri në fund të mandatit ?

Shyqiri Bytyqi: Tashmë e kemi një stadium që duhet të përmirësohet është tjetri në Mitrovicë që mund të bëhet dhe stadiumi kombëtar që duhet të ndërtohet. Mandati jonë do t’i bëj dy stadiume lokale dhe një kombëtar.