AAK prezanton nismën legjislative për skemat pensionale për kontributdhënësit e viteve ‘90

Deputeti i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Shemsedin Dreshaj ka prezantuar një nismë legjislative për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Dreshaj ka thënë se bëhet fjalë për plotësim ndryshimin e lLigjit për skemat pensionale të financuara nga shteti konkretisht për nënin 8.2, të cilin ai e ka quajtur diskriminues.

“Jemi sot këtu për të folur për nismën legjislative për të cilën ka kohë që AAK e ka iniciuar. Bëhet fjalë për plotësim ndryshimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti apo për nenin diskriminues 8.2 të këtij ligji i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvojë punë para 1 janarit 1999”- ka thënë Dreshaj.

“Në seancën e radhës njëra ndër temat është edhe kjo temë. Me propozimin që ne kemi iniciuar parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet sa kanë punuar para 1 janarit të vitit 1999”- shpjegoi ai.

Dreshaj ka thënë se ka raste kur për një ditë apo një javë, individë kanë humbur të drejtën e gëzimit të pensionit kontributdhënës.

“Siç e dini kemi rast kur për një ditë ose për një javë, individët e kanë humb të drejtën e gëzimit të pensionit kontributdhënës. Besojmë që kjo nismë të mbështetet nga grupet parlamentare. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jo logjik, i dëmshëm, diskriminues për punëtorët e viteve 90-ta të cilër ishin larguar dhunshëm nga puna atëherë”- ka deklaruar Dreshaj.

Deputeti i AAK-së ka theksuar se kërkon mbështetjen e të gjithë deputetëve për këtë nismë legjislative.

Ndërkaq, shefi i këtij grupi parlamentar, Besnik Tahiri është deklaruar në lidhje me takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të sindikatave.

“Takimi i sotëm i kryeministrit me ministra është dashtë të ofrojë zgjidhje, që nesër të fillojë mësimi në të gjitha shkollat. Sot kryeministri e keqpërdori gatishmërinë e sindikatave duke mos ofruar zgjidhje dhe duke synuar që të ju tregojë vendin dhe t’i përçajë këto sindikata”- u shpreh Tahiri.

“Askujt nuk i intereson se si ka folur kryeministri brenda takimit, as si vëllau me vëlla, a me nip apo me dajë. Sot secilit na intereson që nesër të fillojë mësimi. Sot u ushtruar arroganca e pushtetit dhe egoja e cila e përshkruan këtë Qeveri”- shtoi ai.

Kryeministri, Albin Kurti ka zbardhur edhe një bisedë më kryesindikalistët, që sipas tij i kanë kërkuar “t’i ndihmojë si vëlla”.

“Ata me muaj janë sjellë, thua se buxheti është paraja ime. Më thoshin, na ndihmo si vëlla. Si vëlla, unë të ndihmoj privatisht, por unë jam kryeministër. Ka kaluar koha kur kryeministri të bëhet vëlla. 80% të punëtorëve janë të sektorit privat, ata e mbushin buxhetin” – shtoi Kurti tutje.

Takimi mes sindikalistëve dhe kryeministrit Albin Kurti ka përfunduar pa marrëveshje.Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha para gazetarëve të martën se greva do të vazhdojë. Sipas tij, lajmi i mirë është se edhe dialogu do të vazhdojë.

Ai tha se ishin të gatshëm të diskutojnë për shumën e 100 eurove, por Qeveria nuk pranoi që të ofrojë më shumë se 50 euro shumën ndihmë për mësimdhënësit, ashtu siç paraparë në pakon e ekzekutivit për tu përballur me inflacionin.