AAK për paratë e Trustit: Njëherë fshiheshin pas UNMIK-ut tash pas Fondit Monetar Ndërkombëtar

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë bëri të ditur se as këtë javë nuk do ketë diskutim për çështjen e tërheqjes së parave nga trusti pensional.

Këtë deklarim ai e bëri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

“Fatkeqësisht edhe kjo mbledhje sikurse edhe seanca plenare dështoi në mungesë të kuorumit. Trusti për fat të keq nuk ishte në rend të ditës, që nënkupton se këtë javë nuk do ketë seancë të re që do trajtonte këtë çështje me interes për qytetarët”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, problemi i qeverisë është se i thotë ‘Jo’ çdo nisma nga opozita, duke u fshehur pas deklarimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Problemi thelbësor me qeverinë për trustin është që apriori thonë jo për diçka që vjen prej opozitës. Argumenti se trusti ndikon në politika makro-fiskale është gabim, ky narrativ është i gabueshëm. Sa i përket inflacionit, është gabim i ministrit të financave dhe nuk ka ide për kontributin që do kishte Trusti në buxhetin në Kosovës. Një kohe fshiheshin pas UNMIK-ut, tash pas FMN-së”, theksoi Tahiri.

Tahiri potencoi se si grup parlamentar kanë bërë një nismë legjislative për ndryshim të projektligjit për skemat pensionale.

“Ne kemi bërë një nismë legjislative të cilën e ka nisur deputeti Shemsedin Dreshaj, e më herët deputetja Teuta Haxhiu që ka të bëjë më ndryshim të projektligjit për skemat pensionale. Pra, do të iniciojmë ndryshimin që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar 1999. Kemi raste kur për një ditë, dikush që nuk ka arritur t’i bëjë 15 vite nuk e gëzon pensionin e merituar. Shpresoj të kemi mbështetje nga partitë tjera”, shtoi ai.