AAK paralajmëron rezolutën për nesër: Të anulohet propozimi për rritjen e çmimit të energjisë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri dhe deputeti i këtij subjekti Pal Lekaj, kanë reaguar ndaj krizës energjetike e cila sipas tyre do të reflektojë edhe në ngritjen e çmimit të energjisë.

Nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, me kërkesën e AAK-së, do të ketë debat parlamentar në lidhje me propozimin për rritjen e çmimit të energjisë.

“Në debatin e nesërm ndër temat kryesore do të jetë raportimi që është bërë për propozimin që ZRrE e ka bërë për dyfishimin e çmimit. Është e papranueshme që dikush që e ka paguar 58 euro e 52 cent, të paguaj me tarifën e re 109 euro e 42 cent 100 për qind më shumë”, tha Tahiri.

Tahiri tha se nesër presin nga deputetët votimin e rezolutës për anulimin e kërkesës për shtrenjtim të rrymës.

“Ne nesër në këtë debat do të trajtojmë edhe tema të tjera por tema kryesore do të jetë energjia. Nesër presim dy çështje, presim fillimisht nga shumica parlamentare nga LVV të reflektojë dhe të votojë rezolutën tonë që obligon qeverinë dhe ZRrE-në që mos ta shtrenjtojë energjinë elektrike të anulohet rekomandimi dhe mos të hyj në fuqi”, tha ai.

Tahiri, shtoi që kjo problematikë për krizën energjetikë është sjellë prej KEDS-it dhe institucioneve të tjera me kohë që nga korriku dhe sipas tij qeveria nuk ka vepruar.

“Me qenë se nuk kanë vepru qeveria nuk ka të drejtë që mospunën dhe mosveprimin, dështimin e vet t’ia faturojë qytetarëve”, tha ai.

Edhe deputeti Pal Lekaj, tha se si grup parlamentar dhe si anëtar i Komisionit për Ekonomi e kanë lajmëruar qeverinë dhe ministren që të kenë kujdes sepse do të hyjmë në një krizë ekonomike.

“Ne po i kalojmë ditët më të këqija si qytetarë të Kosovës sidomos tani kur ne kemi një propozim nga ZRrE për ngritje të çmimit të energjisë 100 për qind. Ky është mashtrim i radhës i kësaj qeverie”, tha ai.

Lekaj tha se përpos rritjes së çmimit të energjisë ka rritje enorme të çmimit të shportës së qytetarit.

“Nëse i krahasojmë çmimet me vitin 2020 dhe 2021, ne kemi ngritje enorme të çmimeve ushqimore, ndërtimore, derivateve, që e kanë varfëruar qytetarin. Është koha e fundit që bashkërisht të dalim nga kjo amulli apo qeverie që fare pak po mendon për qytetarin më tepër po bën politika ditore”, tha ai.

Lekaj tha se si grup parlamentar do të përdorin të gjitha forcat politike e morale për t’i shpëtuar kësaj gjendje dhe se do të rreshtohen në anën e qytetarëve.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.