AAK paralajmëron protestë pas propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka thënë se paralajmërimi zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të tarifave të energjisë elektrike është i paarsyeshëm.

“Ky është një shok lajm. Kjo është e pa arsyeshme dhe jo e pranueshme. Kjo nuk duhet të ndodh. Duke marrë parasysh subvencionimet nuk shihet ale arsyeshme të ketë rritje të dytë të çmimit dhe aq më pak rritje në vlerë prej 14 për qind”- tha Lekaj.

Në një konferencë për media, Lekaj tha se tani është pritur ulje e çmimit të tarifave dhe jo ngritje.

“Ne kemi pritur ulje. Si është e mundur që KEK është në gjendje stabile, ku ka eksportuar miliona euro energji. Si është e mundur që Qeveria Kurti vitin e kaluar subvencionoi bizneset, ndërsa tash u rriten tarifat për më shumë se 100%”- tha tutje ai.

Sipas deputetit të AAK-së, qytetarët janë të lodhur me rritjen e çmimeve.

“Jemi në stinën e pranverës dhe qeveria ka hapësirë kohore dhe buxhetore të lidh marrëveshje për shit-blerje të energjisë. Dilema e jonë është – cila është arsyeja e propozimit nga ZRRE për rritje të çmimeve? Qytetarët janë të lodhur nga shtrenjtimi i produkteve, vetëm të mendosh edhe rritje tjetër nuk është normale” – shtoi ai.

Sipas Lekajt, kjo rritje e vendos qytetarin në varfëri të skajshme dhe luftë për ekzistencë.

Tutje Lekaj ka bërë të ditur, se partia prej nga vjen ai, AAK-ja është kategorikisht kundër kësaj rritje, duke paralajmëruar edhe protesta.

“Do të angazhohemi në komisione dhe do të bisedojmë edhe me qytetarët që të kemi edhe protesta. Kjo qeveri e ka vetëm një mendim; se si të rëndoj jetën e qytetarëve dhe jo si të ua lehtësoj” – tha Lekaj në konferencë për media.

Më 25 shkurt, Zyra e Rregullatorit të Energjisë pati propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për 13.4% për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

Rregullatori ka propozuar që të hyrat maksimale të lejuara për Furnizuesin Publik – KESCO për vitin 2023 të jenë 393.8 milionë euro, apo një rritje prej 13.4% krahasuar me vitin 2022 kur buxheti ishte caktuar në 347.2 milionë euro.

Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të subvencionojë tarifat e energjisë me 24.6 milionë euro. Këto mjete ishin zotuar vitin e kaluar, por Qeveria e Kosovës ishte vonuar t’i alokojë me kohë, prandaj janë bartur në vitin 2023.

ZRRE propozon shtrenjtim të rrymës për 13.4%