AAK: Paqja sociale nuk blihet me 50 e as me 100 euro

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas prezantimit të pakos së re për përballimin e inflacionit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë reagim është thënë se paqja sociale nuk blihet me 50 e as me 100 euro, e se “Qeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli”.

Sipas AAK-së, këto masa që sot janë propozuar nga Qeveria janë “mashtrim i ultë” që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike.

“Të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim anti ligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës” – thuhet në reagim.

Tutje është thënë se sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre.

“Pakoja e prezantuar nga Kurti, është mashtrim ordiner. Nuk kapërcehet kriza me lëmoshë. Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese” – ka thënën AAK.

Sot, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media prezantuan një pako të re për të përballuar inflacionin.

Në këtë pako kanë thënë se janë të përfshirë edhe zyrtarët publikë për të cilët është thënë se do të ndahen nga 50 euro nga muaji shtator.

Tutje është thënë se kjo pako përfshin subvencionimin e faturës së rrymës për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë dhe projektligji për punë publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse.