AAK: Nuk ka rëndësi data e zgjedhjeve, por të respektohen afatet kushtetuese

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, është deklaruar pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me caktimin e datës për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë.

Tahiri deklaroi se për AAK-në nuk ka rëndësi data por të respektohen afatet kushtetuese.

“E bëra të ditur se për Aleancën këto zgjedhje të mbahen në afatet kushtetuese, mandati mos të shkurtohet, që të ketë organizim më të mirë e të mundshëm. Dhe, mbi të gjitha që të ketë një konsultim paraprak me partitë tjera parlamentare dhe joparlamentare që zgjedhjet të ndodhin në afatet kohore. Aty është diskutu edhe data 31, ajo dihet që mandati i kryetarëve të komunave përfundon më 22 tetor, nuk është mirë me u ndal mandati asnjë ditë. Pra për Aleancën është e rëndësishme përgatitja e zgjedhjeve. Nuk kemi parapëlqyer asnjë datë që të ketë një dakordim ndërpartiak një javë para, një jave mbrapa, nuk prish punë”, u shpreh Tahiri.

Presidentja e vendit sot ka zhvilluar takim me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, u.d. kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.