AAK nuk do të votojë qeverinë Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar marrëveshjen që u nënshkrua sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka mirëpritur këtë marrëveshje, por nga ana tjetër pohoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do ta votojë qeverinë Kurti.

“Kosova është dashur të ketë qeveri pas 6 tetorit. Kanë qenë të paarsyeshme vonesat për mosarritjen e marrëveshjes. Është dashur prej kohësh që për ministritë të thonë se janë 15 ministri dhe jo të proklamojnë se janë 12”, citohet të ketë thënë Haradinaj, sipas një postimi të Grupit Parlamentar të AAK-së në Facebook.

Sot është nënshkruar marrëveshja për koalicionin qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, gati 4 muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019.

Sipas marrëveshjes së arritur, Qeveria e re do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur më 26 dhjetor kryetar i Kuvendit, do të largohet nga kjo pozitë për të kaluar në ekzekutiv, kurse ulësja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do t’i kalojë LDK-së.

Po ashtu, çështja e presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar, por për këtë do të merren vesh Mustafa e Kurti kur të vijë koha dhe t’i përfundojë mandati presidentit aktual.