Kandidati i AAK-së, Mensur Neziri. Foto: Naser Fejza: KALLXO.com

AAK-Nisma kundër testimit të mësimdhënësve

Kandidatët për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma, gjatë shpalosjes së Programit për arsim në “Debat Përnime”, kanë shprehur qëndrimet e tyre karshi disa politikave që Qeveria aktuale i ka proklamuar për sistemin arsimor.

Theks i kanë vënë testimit të mësimdhënësve.

Një testim i tillë, në “formë të një testi klasik”, sipas Mensur Nezirit, është fyerje për mësimdhënësit.

Lidhur më këtë AAK-Nisma parashohin ofrimin e trajnimeve të nevojshme për zhvillimin profesional të mësimdhënësve – duke mos përkrahur politikat aktuale të ministres Arbërie Nagavci.

“Këtë politikë të kësaj Ministreje (Arbërie Nagavci), Aleanca në asnjë rrethanë nuk e përkrah dhe nuk e realizon, sepse është politikë e dështuar. Ne do të insistojmë që t’i përkrahim mësimdhënësit në çdo rrethanë, brenda mundësive buxhetore.” – është shprehur Neziri.

Ndërsa kandidatja tjetër për deputete, Teuta Haxhiu foli për nevojën e depolitizimit që duhet të bëhet në sistemin e arsimit në Kosovë, duke përmendur edhe raste te veçanta, kur sipas pretendimeve të saj, janë punësuar persona politikë nga partia në pushtet.

“Inspektorati do duhej të jetë 100% i depolitizuar.” – tha Haxhiu.

AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Plani për arsimin i koalicionit AAK-Nisma: Rritje të pagave për mësimdhënësit dhe digjitalizim të shkollave