
Kandidatët e koalicionit AAK-Nisma. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Zotimi i Koalicionit AAK-NISMA: Deri 240 milionë euro për autostradën Prizren-Tetovë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së bashku me partnerët e saj të koalicionit, ka prezantuar në “Debat Përnime” disa nga projektet që janë paraparë të realizohen në Rajonin 04, përkatësisht në rajonin e Prizrenit.
Autostrada Prizren-Tetovë premtohet se do të bëhet gjatë “mandatit qeverisës” AAK-NISMA, mirëpo sipas kandidatit për deputet, Besnik Krasniqi, do të bëhen fillimisht disa ndryshime në këtë projekt.
“Ne jemi duke përcjellë punimet. E kemi parë projektin. E kemi parë Kontratën-Bazë/Kornizë. Është një rrugë rajonale dhe punimet kanë filluar me intensitet shumë të ulët. Sigurisht që do ta ndryshojmë këtë projekt dhe do ta shndërrojmë në një autostradë moderne, siç kemi bërë edhe në të kaluarën me autostradën ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Arbën Xhaferi’.” – tha ai.
Sipas tij, kostoja e këtij projekti sillet nga 100 deri në 240 milionë euro, varësisht prej trasesë kah do të kalojë kjo autostradë.
Premtim tjetër për këtë rajon, sipas koalicionit AAK-NISMA, janë edhe investimet që do të bëhen për Qendrat e Skijimit në Brod dhe në Sharr.
Këto investime, sipas Krasniqit, do të zhvillohen përmes Partneritetit Publiko-Privat.
“Ne konsiderojmë që kjo është mënyra e vetme për të zhvilluar këta sektorë të industrisë, edhe Prevallën, edhe Dragashin, por edhe pjesë të tjera të Sharrit të cilat kanë potencialë të jashtëzakonshëm.” – tha ai.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
“Direkt në NATO”: Plani i koalicionit AAK-Nisma për sigurinë në Kosovë