Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK në Viti përkrah kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Viti ka njoftuar se ka marrë vendim që në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Vitisë të mbështesin kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arsim Ademi.

Në njoftimin për media thuhet se vullneti i Kryesisë së Degës është opinion personal dhe nuk paraqet qëndrimin zyrtar të Degës.

“Përmes kësaj deklarate, njoftojmë gjithë opinionin  se Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Dega në Viti me të gjithë strukturat e saj është në mbështetje të fuqishme për Dr. Arsim Ademin, për Kryetar të Komunës së Vitisë, çdo deklarim ndryshe nga cilido individ, që është ndryshe nga vendimi/vullneti i Kryesisë së Degës është opinion personal dhe nuk paraqet qëndrimin zyrtar të Degës”, thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Më 14 nëntor do të mbahet rundi i dytë në komunat që kanë shkuar në balotazh.

Në garën për Vitinë do të ballafaqohen Sokol Haliti nga LDK dhe Arsim Ademi nga LVV.