AAK në "Debat Përnime": Kosova s'ka nevojë për SPAK, e kemi Prokurorinë Speciale
Në emisionin “Debat Përnime”, në të cilin është diskutuar për programin zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e diskutimeve ishte nevoja për një “reformim rrënjësor” të sistemit të drejtësisë.
Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com ka ballafaquar kandidatët e AAK-së me objektivat e tyre programore në këtë fushë.
“Pse po doni me e fuqizu Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, një mekanizëm i cili është totalisht jofunksional edhe mbi bazën e ligjore në hetimin e pasurisë, dhe në anën tjetër mos me e fuqizu Prokurorinë e Shtetit, e cila i ka kompetencat për me i hetu- prej deklarimit, prej shpëlarjes së parave, prej krimit të organizuar, prej korrupsionit dhe elementeve të tjera. A po tentohet që sërish me u investu edhe katër vite të tjera në diçka që është mekanizëm i Kuvendit, i cili nuk ka përgjegjësi të mëdha në hetim të korrupsionit, por në parandalim, e me u shmangë investimi aty ku duhet- në krijimin e një SPAK-u të Kosovës” – pyetur Gashi.
Përgjigje për këtë çështje ka dhënë kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për një SPAK, pasi të njëjtin funksion e ka Prokuroria Speciale.
“ Shqipëria, SPAK-un e ka themeluar jo për qef. E ka themeluar sepse e ka pasë parakusht themelor për më ecë përpara. Dhe, unë mendoj që SPAK-u është mrekullia që i ka ndodhë Shqipërisë, por nuk mendoj që këtu duhet të vijë një SPAKë, për shkak se ne e kemi SPAK-un. SPAK-u i Kosovës është Prokuroria Speciale”, ka deklaruar Tahiri.
Madje, ai foli edhe për ngjashmëritë që kanë në përmbajtjen ligjore këto dy institucione.
“Nëse i lexoni detyrat që i ka SPAK-u dhe i lexoni detyrat që i ka Prokuroria Speciale nuk dallojnë shumë. Ajo që ne duam është që ta rrisim integritetin e gjykimit, guximin dhe njëkohësisht përformancën, por jo duke marrur një model i cili për mendimin tim nuk i takon…”- ka deklaruar ai.
Njëjtë mendon edhe kandidati tjetër për deputet, Arton Demhasaj. Prokuroria Speciale, sipas tij, është një lloj SPAK-u, vetëm se duhet të investohet në aspektin financiar dhe në kuadro profesionale.
“Në momentin që ne investojmë me bazë ligjore, por edhe në aspektin financiar, por edhe me resurse njerëzore, Prokuroria Speciale është një lloj SPAK-u. Specialja i ka këto kompetenca, veç duhet me mbështet me financa, me burime njerëzore dhe profesionale. E ata pastaj e kryejnë punën si SPAK-u në Shqipëri”- tha Demhasaj.
Si të nevojshëm, ai e sheh edhe rishikimin e sistemit prokurorial.
“Së pari duhet me ndodhë një lloj rishikimi i sistemit prokurorial që me ardhë deri tek ajo që me pasë një profilizim të qartë të sistemit prokurorial. Specialja mos me pasë kompetenca për me hetu gjithçka, por me qenë e profilizuar”- tha Demhasaj.
Për më shumë kilikoni në link: