Peja | Foto: KALLXO.com

AAK: Mosdekorimi i Pejës - veprim skandaloz dhe fyerje për qytetarët

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë ka reaguar ndaj vendimit të Komunës për të mos e dekoruar qytetin në prag të festave të fundvitit.

Sipas AAK-së, ky është një veprim skandaloz i qeverisjes si dhe fyerje për qytetarët e Pejës.

“AAK e Pejës konstaton se një veprim i tillë tash e disa vite, për fat të keq, është kthyer në dukuri për pushtetin aktual të Pejës. Një veprim i tillë skandaloz është fyerje për qytetarët dhe veçanërisht për bashkatdhetarët tonë që vizitojnë vendlindjen në prag të këtyre festave”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, buxheti i Komunës së Pejës vazhdimisht keqpërdoret nga kryetari Gazmend Muhaxheri dhe kabineti i tij.

“I pajustifikueshëm është çfarëdo arsyetimi i komunarëve për këtë mosveprim në këtë periudhë, kur të njëjtit çdo ditë dëmtojnë buxhetin komunal, duke paguar vendime të proceseve të humbura gjyqësore për të mbuluar vjedhjet klasike të buxhetit, që i shkaktojnë njerëz të afërt të kryetarit Muhaxheri, drejtorë të drejtorive dhe të punësuar të kabinetit të tij”, thuhet tutje në reagim.

AAK-në Pejë ka ngritur edhe shqetësimin në vonesat për rregullimin e sheshit, të cilin edhe viti i ri do ta gjejë të parregulluar.

“Tërë kësaj, nëse ja shtojmë edhe vonesat maratonike të ndërhyrjeve për rregullimin e sheshit të qytetit, i bie se qendra e qytetit të Pejës, edhe këtë ndërrim të moteve do ta presë me fotografinë që nuk e meriton si qytet i vlerave dhe i qytetarëve të saj të mrekullueshëm, pavarësisht përcaktimeve të tyre politike”, thuhet tutje në reagim në facebook.

Edhe vitin e kaluar Komuna e Pejës është kursyer nga zbukurimet e qytetit.

Ky do të jetë viti i 5-të të cilën kjo Komunë nuk shpenzon asnjë cent për dekorimin e qytetit në rastin e festave të fund vitit.

Peja as këtë vit nuk ‘zbukurohet’ nga Komuna për festat e fundvitit