AAK merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për referendumin e Serbisë, LDK-ja ende nuk dihet

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet për referendumin e Serbisë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Lulzim Blakaj, zëdhënës i kësaj partie.

“Po, do të marrim pjesë”, ka thënë shkurtimisht ai përmes telefonit.

Me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës ka caktuar për ditën e nesërme seancën e jashtëzakonshme, nga ora 14:00. Sipas njoftimit të Qeverisë, synimi i Kurtit është që të miratohet një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare.

PDK-ja e Memli Krasniqit përmes një konference për media të Abelard Tahirit ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë. Kjo parti ka thënë se rezoluta është e panevojshme dhe ka konsideruar se Qeveria po tenton të shmanget nga përgjegjësia.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në këtë seancë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të lartë të kësaj partie Sibel Halimin, Arben Gashin dhe kryetarin Lumir Abdixhiku, por të njejtit kanë qenë të paqasshëm në telefon.

Mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës kanë kërkuar shtetet e QUINT-it që të lejohet. Këtë e kanë kundërshtuar Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, si dhe të gjitha partitë opozitare në Kuvend.