
Foto: KALLXO.com
AAK: Me marrjen e mandatit qeverisës do ta nënshkruajmë Planin për anëtarësim në NATO
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) qysh para nisjes së fushatës zgjedhore ka nisur të proklamojë idenë se me ardhjen e saj në pushtet, Kosova do të anëtarësohet në NATO.
Në frymën e kësaj edhe fushatën zgjedhore të cilën po e zhvillon në koalicion me Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal po e bën me sloganin “Direkt në NATO” .
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Krasniqi është zotuar në “Debat Përnime”, më 17.01.2025, se një nga punët e para që do të bëjnë nëse e fitojnë besimin e qytetarëve për të qeverisur vendin, do të jetë nënshkrimi i Planit për anëtarësim në NATO.
“Do të fillojmë një dialog politik konkret dhe direkt me NATO-n, për anëtarësimin e privilegjuar, që është i mundshëm. Qysh në fillim të mandatit tonë do ta nënshkruajmë Planin për anëtarësim në NATO.” – tha Krasniqi.
Për përmbushjen e këtij premtimi, ai deklaroi se me urgjencë do të fillojnë bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe NATO-n, për zhvillimin e planit konkret që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.
Ndërsa kandidati tjetër për deputet, Ahmet Isufi foli për përgatitjet që parashihen të bëhen në FSK.
Sipas tij, FSK është një kombinim i strategjisë së brendshme të shtetit tonë, por e ndihmuar nga NATO me misionin e KFOR-it në Kosovë.
Tutje, Isufi tha se pa anëtarësim të Kosovës në NATO nuk mund të ketë as zhvillime të tjera si shkak i mungesës së sigurisë.
“Ne e kemi në Programin tonë edhe sloganin, i cili është ‘Direkt në NATO’ dhe qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – tha Isufi.
AAK parasheh gjithashtu edhe krijimin e një ekipi me diplomat për akreditim në NATO, si dhe zhvillimin e Qendrës së Ekselencës Ushtarake për rajonin, me kapacitete të specializuara të FSK-së.
Ndërsa, Krasniqi si shumë të nevojshme e ka parë edhe hapjen e Ambasadave në të gjitha shtetet e NATO-s, në të cilat Kosova ende nuk i ka të hapura.
“Kosova duhet me urgjencë që të hapë Ambasada në të gjitha shtetet e NATO-s, ku nuk i kemi momentalisht të hapura. Në ato aktualet, duhet të shtohen diplomatët e fushëveprimit të sigurisë.” – tha Krasniqi.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanikë, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
“Direkt në NATO”: Plani i koalicionit AAK-Nisma për sigurinë në Kosovë